12 Arsyet e Dobëta për të Hedhur Poshtë Studimet Shkencore

Shumë njerëz vihen re sidomos vitet e fundit në mediat sociale që kundërshtojnë apo hedhin poshtë studime të ndryshme shkencore dhe sidomos ato në lidhje me vaksinat. Niveli i arrogancës dhe i injorancës së vullnetshme është i frikshëm, por mënyrat me të cilat njerëzit i kundërvihen shkencës janë sa të çuditshme aq edhe zbavitëse. Këto mënyra përfshijnë konspiracitë e zakonta si shkencëtarët që gjoja janë të shitur, qeveri të korruptuara, mediet e kapura, etj. Shumica e këtyre kundërshtive thjeshtë ngulin këmbë se ka diçka që nuk shkon me këto studime në vend që të paraqesin fakte bindëse në lidhje me gabimet në to. Kur njerëzit përballen me studime apo konkluzione shkencore që janë në kundërshtim me konceptet e tyre, ata qorrazi ngulin këmbë që autorët kishin qenë të paguar, të dhënat janë manipuluar, që këtu ka një konspiraci, etj… por vetëm nqs ata janë në gjendje të vërtetojnë se këtu pati diçka joetike, mospranimi i këtyre konkluzioneve është llogjikisht i pavlefshëm dhe është njësoj sikur të thoshnin që “kështu është se e them unë.” Thjeshtë pse ti nuk je dakord me një studim nuk mund të hamendësosh se ai është i gabuar.

Që të jemi të qartë, nuk po themi se duhet të ndjekim qorrazi çdo letër shkencore kërkimi. Fatkeqësisht, jo të gjitha studimet kërkimore janë të një cilësie të lartë, dhe studime të dobëta dhe të njëanëshme në fakt ndodh që publikohen, por nuk mund t’i hedhim poshtë qorrazi vetëm pse ato kundërshtojnë mendimet tona të paraformuara. Kjo është veçanërisht e vërtetë për vaksinat për të cilat kemi qindra e mijëra studime të cilët të gjithë janë dakord me njëri-tjetrin. Është një gjë të thuash që një studim apo një grup kërkimor janë të korruptuar dhe është një gjë krejt tjetër të thuash çdo studim kërkimor dhe çdo shkencëtar është gabim në lidhje me çështjen në fjalë.

Në vijim janë paraqitur 12 arsye të dobëta të cilat përdoren vazhdimisht për të hedhur poshtë shkencën.

Arsyeja e Dobët # 1 – Galileoja dhe Kolombi

Kur përballen me rezultate që nuk u pëlqejnë, shumë njerëz invokojnë Galileon apo Kolombin duke pretenduar se ata sfiduan pikëpamjet e kohës ndërkohë që njerëzit mendonin se ishin të çmendur, por që në fund të fundit doli se kishin pasur të drejtë. E vërteta është se pakkush ose askush mendonte se Galileo ishte i çmendur. Ai prezantoi fakte dhe vëzhgime të kujdesshme, jo konspiraci apo thjeshtë opinione të pabazuara. Ai nuk e refuzoi qorrazi shkencën e kohës së tij, por bëri vëzhgime metikuloze dhe paraqiti të dhëna që hidhnin poshtë pikëpamjet e përgjithshme të asaj kohe. Kjo nuk është aspak e njëjtë me refuzimin arrogant dhe të pakulturuar të një studimi vetëm pse nuk je dakord me të.

Duke kaluar tek Kolombi, debati në kohën e tij ishte rreth madhësisë së Tokës, jo formës së saj, dhe Kolombi ishte krejtësisht gabim në këtë pikë. Në fakt, injoranca e tij kokëfortë do e kishte vrarë atë bashkë me ekuipazhin e tij po të mos kishte qenë për “zbulimin” fatlum të Botës së Re. Po ta shohim hollë-hollë, Kolombi ishte ekuivalenti ideologjik i një antivaksinisti modern. Ai “bëri hulumtimin e tij” dhe shpalli me krekosje se të gjithë ekspertët ishin gabim rreth madhësisë së Tokës, duke menduar se llogaritjet e pranuara deri në atë kohë ishin të mangëta. Në realitet, llogaritjet e pranuara të kohës së tij ishin shumë afër numrit të saktë, ndërsa llogaritjet e Kolombit ishin shumë larg tij.

Arsyeja e Dobët #2 – Shkenca ka qenë gabim në të shkuarën

Duke lënë pas shembujt e Galileos dhe Kolombit, shumë të tjerë shpesh pretendojnë se shkenca nuk duhet besuar sepse ka ndodhur që ka qenë e gabuar më parë. Së pari, është e vërtetë që shkenca ka qenë e gabuar, por janë gjithmonë shkencëtarë të tjerë ata që e kanë zbuluar dhe vënë në dukje këtë gjë. Më tej, është llogjikisht e pavlefshme të supozosh pa menduar se shkenca është e gabuar vetëm ngaqë ka qenë e gabuar më parë.

Për më tepër, edhe pse ka pasur shumë hipoteza të vogla të cilat janë hedhur poshtë, ka pasur shumë pak ide themelore që janë refuzuar gjatë shekullit të kaluar. E thënë ndryshe, idetë që mbështeten nga mijëra studime rrallë herë janë refuzuar, dhe akoma më pak ide kryesore janë rrëzuar në dekadat e fundit. Shembulli më i afërt që mund të gjeni është teoria e relativitetit të Ajnshtajnit që zëvendësoi ligjin e gravitetit të Njutonit, por edhe në atë shembull, puna e Njutonit nuk ishte e gabuar, ishte thjeshtë e paplotë. Ajnshtajni nuk e hodhi Njutonin jashtë dritares; përkundrazi, ai thjeshtë tregoi se ligji i Njutonit nuk funksionon gjithmonë dhe nuk na jep një pamje të plotë. Ai ndërtoi mbi atë që kishte zbuluar Njutoni.

Së fundi, sulmi ndaj shkencës mbi bazën se ka qenë e gabuar më parë është krejtësisht absurd sepse shkenca është në thelb një proces i ndryshimit të kuptimit tonë për botën. Me fjalë të tjera, shkenca është vetëkorrigjuese. Kjo është edhe një nga forcat e saj më të mëdha. Për të botuar në shkencë, duhet të kalosh një proces të ashpër të vlerësimit nga ekuivalentët tuaj, proces i cili nxjerr jashtë loje një sasi të konsiderueshme të shkencës së pavlefshme. Si rrjedhojë, shumica e asaj që botohet është e një cilësie të lartë. Më tej, kur botohet një studim i dobët, ai menjëherë futet nën shqyrtim nga pjesa tjetër e komunitetit shkencor, të cilët tregojnë gabimet në të (nëse ato ekzistojnë) ndërkohë që po përpiqen të replikojnë apo riprodhojnë rezultatet. Si pasojë, është e vështirë të abuzosh me shkencën e rremë sepse nëse dikush tjetër përpiqet të riprodhojë punën tënde, ai do zbulojë se ka diçka që nuk shkon me hulumtimin tënd (kjo është pikërisht ajo që ndodhi me artikullin e rremë të Wakefield që sugjeronte se vaksinat shkaktojnë autizëm). Në këtë mënyrë, shkenca është vetëkorrigjuese dhe zëvendëson vazhdimisht idetë e gabuara kur dalin dëshmi të reja (e njëjta gjë nuk mund të thuhet për pikëpamjet kundër-shkencore që kapen fort pas pozicioneve të tyre pa marrë parasysh sa fakte i kundërshtojnë ato). Pra, fakti që shkenca ka qenë e gabuar është në të vërtetë një gjë e mirë, sepse, nëse nuk do të kishte pasur raste ku do kishim zbuluar se një ide e mëparshme ishte e gabuar, kjo do të do të nënkuptonte se shkenca nuk ka përparuar që nga ajo kohë.

Arsyeja e Dobët # 3 – Gjithçka bëhet për para

Kjo është ndoshta përgjigja më e zakonshme në lidhje me artikujt mbi ndryshimin e klimës, vaksinat, produkteve të modifikuara gjenetikisht (OMG), etj., dhe shpesh është thjeshtë e pasaktë. Komuniteti shkencor është i madh dhe ka mijëra shkencëtarë të pavarur që bëjnë hulumtime. Më tej, të gjitha publikimet shkencore kërkojnë që autorët të deklarojnë çdo konflikt interesi, kështu kushdo nga ju mund të kontrollojë dhe shikojë nëse një studim është paguar nga një kompani e madhe, dhe nëse do ta bënit këtë, do të zbulonit se shumë nga artikujt që mbështesin OMG-të, vaksinat, etj. nuk kanë konflikte interesi. Antishkencëtarët, natyrisht, nuk kanë interes ta lexojnë studimin. Ata do të preferonin të supozonin se është paguar sepse kjo përputhet me botëkuptimin e tyre. Më tej, edhe nëse 90% e studimeve në një temë si vaksinat do ishin të paguar, kjo përsëri do na linte me qindra studime që tregojnë se ato janë të sigurta dhe efektive dhe në thelb nuk do gjenim asnjë studim që thotë se ato janë të rrezikshme.

Tek e fundit, edhe nëse një studim ka një konflikt interesi, kjo nuk ju jep të drejtën ta injoroni atë. Fakti që dikush punon për një kompani farmaceutike, për shembull, nuk do të thotë automatikisht se ai ka pështatur ose falsifikuar të dhënat e gjetura. Nëse një studim ka konflikt interesi, atëherë më e pakta duhet ta shqyrtoni edhe më mirë, dhe duhet të jeni të dyshimtë nëse ai nuk përputhet me artikuj të tjerë ose ka të dhëna të dyshimta, por nuk mund të supozoni automatikisht se është i mangët.

Arsyeja e Dobët # 4 – Ka të tjera me të cilat nuk jam dakord

Kjo është një nga të preferuarat e mia. Dikush do thotë: “Unë hedh poshtë shkencën e X sepse shkenca gjithashtu thotë se Y është e vërtetë dhe unë nuk pajtohem me Y.” Këtë mund ta quajmë: “Unë hedh poshtë shkencën sepse hedh poshtë shkencën.” Duhet të justifikoni hedhjen poshtë të shkencës së Y para se ta përdorni atë si arsye se nuk duhet të besojmë në shkencën e X. Më tej, edhe nëse do të mund të tregonit se shkenca e Y ishte e gabuar, kjo përsëri nuk do të faktonte në asnjë mënyrë se shkenca e X është e gabuar. Në fakt, kjo linjë e të menduarit nuk është veçse një rast i veçantë i gabimit logjik të njohur si fajtor nga shoqërimi. Nëse do thoni se një rezultat shkencor është i pasaktë, duhet të siguroni fakte të vërteta se rezultati specifik për të cilin po flisni është i pasaktë.

Arsyeja e Dobët # 5 – e ndjej se është kështu apo kam instikte prindërore

Këtë e has shpesh dhe më irriton pa masë. Për shembull, kur i tregoj dikujt faktet shkencore për vaksinat, ai përgjigjet me: “mirë, si prind vetëm unë e di çfarë është më e mira për fëmijën tim.” Në të njëjtën mënyrë, kur u tregoj njerëzve provat për OMG-të, ata shpesh përgjigjen me diçka si: “mirë, thjesht kam një ndjenjë të brendshme se manipulimi i geneve është i keq.” Nuk më bëhet aspak vonë për instinktet ose ndjenjat tuaja. Arsyeja pse bëjmë shkencë është sepse instinktet dhe ndjenjat janë të paqëndrueshme. Kur dikush të prezanton me një studim të kryer me kujdes dhe të kontrolluar siç duhet, nuk mund ta hidhni poshtë thjeshtë sepse keni një ndjenjë të brendshme se studimi është i gabuar. Ta bësh këtë nuk ka asnjë kuptim. Është forma më e hapur e injorancës së qëllimshme që mund të imagjinohet. Që të mos keqkuptohemi, intuita është një gjë e mirë, dhe ndjenjat e brendshme mund të jenë të dobishme në shumë situata, por ato nuk janë një mënyrë e saktë për të përcaktuar vlefshmërinë e fakteve shkencore.

Vetëm për të treguar absurditetin e vërtetë të kësaj përgjigjeje, le të imagjinojmë për një minutë që ke shkuar në urgjencë, dhe mjeku atje të thotë: “sipas studimeve shkencore, duhet t’ju jap vetëm një sasi X të morfinës, por ndjenja ime e brendshme më thotë se në të vërtetë duhet t’ju jap pesë herë atë sasi, kështu që po bëj pikërisht këtë.” Jam i sigurt që menjëherë do kërkoje një mjek tjetër. Në të njëjtën mënyrë, imagjino dikë që thotë: “shkenca thotë se duhani shkakton kancer, por ndjenja ime e brendshme më thotë se duhani nuk shkakton asnjë të keqe.” E shikoni problemin? Ndjenjat e brendshme thjesht nuk janë të besueshme. Prandaj bëjmë shkencë. Realitetit nuk i plas se çfarë mendon apo beson ti.

Arsyeja e Dobët # 6 – Kam të drejtë të kem opinionin tim

Kjo është një tjetër përgjigje shumë e zakontë dhe është shumë e ngjashme me numrin 5. Shkenca merret me fakte, jo me opinione apo besime. Kur disa studime shkencore bien dakord se X është e saktë, kjo nuk është më çështje opinioni. Nëse ti mendon se X është e pasaktë, këtu nuk hyn në punë mendimi yt, je thjeshtë gabim. Mendo edhe një herë për marrëdhënien mes duhanpirjes dhe kancerit të mushkërive. Po sikur dikush të thotë: “epo, secilit i takon mendimi i tij dhe mendimi im është se nuk ka asnjë të keqe me duhanpirjen.” A e sheh problemin? Shkencëtarët nuk dalin me një opinion apo besim se duhani është i rrezikshëm; përkundrazi, është një fakt shkencor që duhani është i rrezikshëm, dhe nëse ti mendon se është i padëmshëm, thjeshtë je në mohim. Në të njëjtën mënyrë, nuk ke të drejtë të kesh një “opinion” se toka është 6000 vjet e vjetër, ose se vaksinat nuk funksionojnë, ose se ndryshimet klimaterike nuk janë të vërteta, ose se OMG-të janë të rrezikshme, etj. Të gjitha këto çështje kanë kaluar nëpër teste rigoroze dhe testet kanë dhënë rezultate konsistente. Është fakt që ne po ndryshojmë klimën, fakt që vaksinat funksionojnë, fakt që toka është e vjetër rreth 4.5 miliardë vite, etj. Nëse i hedh poshtë këto, ti thjeshtë po shpreh një injorancë të qëllimshme, jo një opinion apo besim.

Arsyeja e Dobët # 7 – e kam bërë kërkimin tim apo një ekspert bie dakord me mua

Do ta bëj këtë të thjeshtë: nëse “kërkimet” tuaja janë në kundërshtim me studimet e bëra sipas standarteve shkencore, atëherë kërkimet tuaja janë të gabuara (ose të paktën, duhet të hidhen poshtë për momentin në pritje të të dhënave të ardhshme). Kaq e thjeshtë është. Përjashtimi i vetëm ndaj këtij rregulli do ishte nëse kërkimi yt është në të vërtetë një grup i madh studimesh të kontrolluara siç duhet, të cilat hedhin poshtë studimin në pyetje (p.sh., nëse keni një meta-analizë kundër një studimi të vetëm, atëherë, duke mbajtur të gjithë faktorët e tjerë të njëllojtë, shko me meta-analizën). Gjithashtu, është e vlefshme të theksohet se vetëm pse mund të kesh ndonjë individ me titull shkencor në anën tënde kjo nuk e justifikon pozicionin tënd (ky është një gabim llogjik i njohur si “apel ndaj autoritetit”). Ti mund të besosh çfarëdo budallallëku dhe përsëri mund të gjesh dikë diku me një diplomë masteri që bie dakord me ty.

Arsyeja e Dobët # 8 – dogma shkencore

Ky argument thekson se të gjithë shkencëtarët janë të detyruar të ndjekin “dogmën” e fushave të tyre, dhe kushdo që guxon ta vëjë këtë dogmë në dyshim shpejt përqeshet dhe heshtet. Kam shkruar për këtë më parë, kështu që do i bie shkurt. Shkurtimisht, kjo thjeshtë nuk është ashtu si funksionon shkenca. Asgjë nuk e bën një shkencëtar më të lumtur sesa zbulimi se diçka që mendonim dikur se ishte e vërtetë del që ishte e gabuar. Në fakt, kjo është mënyra se si bëhesh i njohur në shkencë. Askush nuk ka përfituar titullin shkencëtar i madh vetëm pse pranonte apo binte dakord me gjithçka që tashmë e dinim. Përkundrazi, shkencëtarët e mëdhenj janë ata që kanë treguar se kuptimi ynë aktual është i gabuar dhe një model tjetër ofron një kuptim më të mirë të universit. Për ta qartësuar, nëse do të rrëzosh një ide gjërësisht të pranuar, do të duhet të kesh prova shumë të forta. Përfundimisht, “pretendimet apo dëshmitë e jashtëzakonshme kërkojnë prova të jashtëzakonshme,” por nëse i ke ato prova të jashtëzakonshme, atëherë pa dyshim që mund dhe duhet t’i publikoni ato. Nëse, për shembull, unë do kisha prova bindëse që diskreditojnë teorinë e evolucionit, jo vetëm që do i publikoja në revistën që do të zgjidhja, por do të kisha garantuar për veten time Çmimin Nobel. Si biolog, asgjë nuk mund të ishte më e mirë për karrierën time sesa të arrija të diskreditoja Darvinin. Pse atëherë nuk janë biologët ata që nxitohen ta publikojnë atë provë? Thjesht, sepse ajo nuk ekziston. Në të njëjtën mënyrë, nuk shihni shumë publikime kundër ndryshimit klimaterik të shkaktuar nga njeriu, publikime kundër vaksinave, etj. sepse të dhënat që i mbështesin këto kundër-publikime thjeshtë nuk ekzistojnë.

Arsyeja e Dobët # 9 – mosbesimi ndaj qeverive/mediave

Shpesh vërej që njerëzit hedhin poshtë shkencën për shkak të mosbesimit ndaj qeverive ose medias. Për shembull, kundërshtarët e vaksinave shpesh hedhin poshtë të gjitha statistikat e CDC-së (Center for Disease Control – Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve) që paraqesin anët pozitive të vaksinave (çuditërisht janë të njëjtët njerëz që pranojnë pa problem efektet anësore të raportuara nga po i njëjti institucion; llogjikë jo konsistente, apo jo?). Shumë njerëz, megjithatë, e shpien atë edhe një hap më tej. Në shumë raste, i tregoj dikujt një studim që nuk është aspak i lidhur me një agjenci qeveritare, dhe prapë ai përgjigjet me një tiradë të gjatë kundër qeverive apo medieve e korruptuara. Ideja bazë e argumentit të tyre duket se del tek ajo që, “përderisa qeveria apo media pajtohet me këto rezultate, ato duhet të jenë të rreme.” Kjo linjë e të menduarit është qartësisht e gabuar (në fakt është një gabim logjik i njohur si faj nga shoqërimi). Qeveritë dhe mediet gënjejnë për të promovuar axhendat e tyre, nuk e mohoj, por ky fakt nuk do të thotë automatikisht se çdo gjë që ata thonë është një gënjeshtër. Për shembull, CDC dhe agjencitë e tjera qeveritare thonë se duhani është i rrezikshëm. A është kjo e rremë? Sigurisht që jo. Në të njëjtën mënyrë, nëse një reporter lajmesh do të thoshte që nuk duhet të pini llavë, a do të thoshte kjo që ai po ja fut kot? Nuk është diçka e keqe të jeni skeptikë ndaj asaj që ju thuhet nga qeveria apo media. Në fakt është një gjë e mirë, por kur ju paraqiten prova shkencore, kjo nuk është më çështje e besimit ndaj qeverisë apo medias. Përkundrazi, kjo është një çështje e pranimit ose jo të shkencës. Me fjalë të tjera, nuk kam nevojë të besoj qeverinë ose mediet për të pranuar rezultatet e një studimi të kujdesshëm dhe të kontrolluar shkencor.

Arsyeja e Dobët # 10 – është konspiraci

Ky argument është shumë i ngjashëm me pikat 8 dhe 9 më sipër, por që i çon gjërat një hap më tej. Argumenti propozon që ekziston një konspiraci masive dhe shkencëtarët po paguhen nga qeveritë apo kompanitë e mëdha për të fallsifikuar rezultatet. Mjafton t’i hidhni një sy të shpejtë lëvizjes kundër vaksinave apo lëvizjes kundër OMG-ve, dhe do të gjeni shpejt që shkencëtarët pro-vaksinë/pro-OMG janë të demonizuar dhe marrin akuza të vazhdueshme si “të shitur.” Në të njëjtën mënyrë, ka shumë njerëz që mendojnë se të gjithë shkencëtarët e klimës janë blerë nga qeveritë. I kam shpjeguar problemet me këtë linjë mendimi më parë në shumë detaje, prandaj do flas vetëm për problemin më të madh që është se shtrirja aq e gjërë e kësaj konspiracie do të ishte thjeshtë e pamundur. Komuniteti shkencor përbëhet nga miliona njerëz nga e gjithë bota që punojnë në mijëra universitete, institucione, organizata jo-fitimprurëse, korporata, agjenci, etj. Ky komunitet përfshin njerëz nga shumë fe, kultura, ideologji politike, etj. Nuk ka asnjë mënyrë me të cilën mund të arrihet që kaq shumë njerëz të bien dakord që të marrin pjesë në një mashtrim kaq të madh si ky. Mendojeni mirë atë që po propozohet këtu. A mendoni me të vërtetë se pothuajse të gjithë shkencëtarët e klimës të botës janë blerë? Po flasim për mijëra njerëz nga e gjithë bota. Në të njëjtën mënyrë, ka shumë korporata, universitete, organizata jo-fitimprurëse, etj. të përfshira në hulumtimin dhe prodhimin e vaksinave dhe OMG-ve. A mendoni me të vërtetë se të gjitha këto organizata të ndryshme (shumë prej të cilave garojnë me njëra-tjetrën dhe kanë qëllime dhe objektiva të ndryshëm) kanë arritur të bëhen bashkë për të krijuar një konspiraci të unifikuar? Kjo është thjeshtë një çmenduri. Të njëjtat problemet janë edhe për qeveritë. Temat si vaksinat, OMG-të, dhe rreziqet e ndryshimeve klimaterike janë të pranuara nga shumë qeveri dhe organizata shkencore nga e gjithë bota. Pyeteni veten me ndershmëri: cila është më e besueshme, që shumë qeveri, kompani, organizata jo-fitimprurëse, etj. janë bashkuar për të krijuar konspiracinë më të madhe të botës dhe për të blerë praktikisht çdo shkencëtar në planet, apo se mijëra shkencëtarë të pavarur që ia kanë përkushtuar jetën e tyre shkencës po bëjnë një hulumtim të vërtetë?

Arsyeja e Dobët # 11 – anekdodat apo barcaletat

Kjo listë me siguri nuk do të ishte e plotë pa folur për anekdoda apo përvoja vetjake. Nuk mund të filloj t’ju tregoj se sa herë i kam paraqitur dikujt studime shkencore që tregojnë se vaksinat janë të sigurta, kam marrë përgjigje si, “por unë e njoh dikë që ka zhvilluar autizëm pasi mori një vaksinë” ose “po për këtë rast kur dikush u sëmur pas një vaksinimi?” Anekdodat apo barcaletat/përvojat vetjake nuk kanë rëndësi në shkencë, sepse ato nuk na lejojnë të përcaktojmë shkak/pasojën. Ja të jap një shembull. Supozojmë që dikush merr kurën X dhe pëson një infarkt në zemër pas 5 minutash. A mund të konkludojmë nga ky vëzhgim anekdodal që trajtimi X shkaktoi infarktin? Jo! Është krejtësisht e mundur që infarkti të ishte krejtësisht i palidhur me trajtimin që pacienti mori dhe këto dy fenomene thjeshtë qëlluan të ndodhnin njëherësh. Në fakt, njëherë pata dëgjuar një mjek duke përshkruar një moment kur po përgatitej të vaksinonte një fëmijë, dhe ndërsa po përgatiste vaksinën, fëmija filloi të kishte një goditje epileksike (mjeku nuk e kishte vaksinuar fëmijën akoma). Ai kuptoi se nëse do ia kishte bërë vaksinën vetëm 60 sekonda më herët, kjo do bënte të dukej sikur vaksina ishte shkaku për goditjen epileptike kur në fakt fëmija thjeshtë qëlloi ta kishte atë në të njëjtën kohë që po vaksinohej.

Nga këto dy shembuj, duhet të jetë e qartë që anekdodat janë të pavlefshme sepse ato nuk mund të vendosin marrëdhënie shkak/pasojë. Studimet e kontrolluara mirë, në anën tjetër, na lejojnë të zbulojmë me saktësi shkak/pasojën. Nëse, marrim një numër të madh individësh të së njëjtës moshë, etni, histori mjekësore, etj., i ndajmë ata rëndom në dy grupe, ku gjysmës u japim trajtimin X dhe gjysmës tjetër një placibo (pilulë sheqeri), atëherë dhe vetëm atëherë do të ishim në gjendje të kërkonim të gjenim një marrëdhënie shkak/pasojë. Me fjalë të tjera, nëse grupi i trajtimit ka infarkte shumë më shpesh se grupi i kontrollit (ata që marrin placibo), atëherë mund të përfundojmë që trajtimi X ka shumë gjasa të shkaktojë infarkte zemre ( themi ka shumë gjasa sepse shkenca asnjëherë nuk vërteton asgjë me siguri 100%). Asgjë tjetër nuk do na lejonte ta bënim atë pohim. Edhe nëse keni mbledhur një seri të tërë anekdodash ku njerëzit kanë pasur infarkte të zemrës pas trajtimit me X, kjo nuk do të kishte rëndësi sepse ju nuk kemi përdorur një grup tjetër kontrolli që të merrte pilulën placibo (e cila nuk jep asnjë efekt). Tek e fundit, unë mund t’u përgjigjem anekdodave tuaja me anekdoda të njerëzve që morën trajtimin X dhe nuk patën infarkte të zemrës si dhe anekdoda të njerëzve që u ndodhi të kenë infarkte pavarësisht se nuk u trajtuan me X. Studimet e kontrolluara mirë (një grup me medikamentin që po studjohet dhe një tjetër me një pilulë placiboje) janë e vetmja mënyrë për të vendosur që një gjë shkakton një tjetër. Kjo vlen për efektet anësore të vaksinave, “ilaçeve” alternative, dietave magjike, etj.

Arsyeja e Dobët # 12 – ky studimi këtu zbuloi se shumica e studimeve të tjera ishin gabim

Ironia me këtë argument është djegëse sepse ai përdor një artikull shkencor për të thënë se nuk duhet të besojmë në artikuj të tjerë shkencorë. Por, gjithsesi, le ta shikojmë pak më nga afër sepse ky argument e ka në të vërtetë njëfarë merite. Artikulli i cili është duke u referuar quhet, “Pse shumica e rezultateve të kërkimeve të botuara janë të gabuara” nga John Ioannidis. Ky artikull është një punë shumë e dobishme dhe informative, por që shpesh po keqpërdoret. Artikulli përshkruan disa arsye pse studimet e botuara janë shpesh të gabuara, dhe për këtë do paraqes vetëm disa pika kryesore.

E para, kemi problemin e shembullit apo mostrës së vogël. Shembujt e vegjël janë të paqëndrueshëm dhe është e vërtetë që shembulli apo mostra duhet të jetë sa më e madhe për të qenë të sigurtë në rezultatet e nxjerra, pavarësisht se shumë studime kërkimore të publikuara bazohen në një shembull relativisht të vogël. Për këtë arsye, duhet të hezitojmë të vendosim shumë besim tek një rezultat që nuk ka ardhur nga një shembull dinjitoz.

E dyta, kemi anësimin apo biasin e publikimit. Kjo mund të jetë një anësi për shkak të burimeve të financimit ose ideve të paracaktuara, si dhe shpesh është një bias i brendshëm i sistemit të botimit. Në shkencë, është (për fat të keq) shpeshherë e vështirë të botohet një rezultat “negativ”. Për shembull, nëse bëni një test me një ilaç dhe zbuloni se ai nuk funksionon, mund ta keni të vështirë ta botoni atë rezultat; ndërsa, nëse keni ardhur tek një rezultat “pozitiv” (dmth., ilaçi funksionon) mund ta botoni atë lehtësisht. Problemi është se rëndësia statistikore bazohet në probabilitete, dhe disa kërkime marrin një pozitiv të rremë thjeshtë për shkak të rastësisë (ky quhet një gabim i tipit I). Pra, kur revistat publikojnë vetëm rezultate pozitive, do kemi më shumë pozitive të rreme të cilat nuk janë të balancuara nga rastet negative, ngaqë negativët nuk botohen. Me fjalë të tjera, përqindja e gabimit të tipit I tek artikujt e botuar qëllon të jetë shumë më e lartë se përqindja e totalit të studimeve (përfshi ato që nuk janë botuar), sepse studimet negative shpesh nuk botohen.

Tani, kjo mund të tingëllojë si shumë dekurajuese, por nuk duhet t’ju bëjë të humbni të gjithë besimin në procesin shkencor vetëm për shkak të një komponenti shumë të rëndësishëm të hetimit shkencor që është replikimi. Puna e Ioannidis aplikohet kryesisht ndaj studimeve me një artikull të vetëm. Me fjalë të tjera, kur ndodh që vetëm një studim ka marrë në shqyrtim ilaçin X, shanset që rezultatet të jenë të gabuara janë shumë të larta, por ky ilaç është shqyrtuar nga studime të shumta dhe të gjitha kanë gjetur se ai funksionon, atëherë mund të jeni shumë të sigurtë që është me të vërtetë e tillë. Kështu që argumentet e paraqitura nga Ioannidis nuk aplikohen ndaj temave si vaksinat, OMG-ja, dhe fushat e tjera të “shkencës së pranuar”, sepse ato janë shqyrtuar nga mijëra studime. Kur studime të shumta janë të gjitha dakord, atëherë mund të keni besim të lartë tek rezultatet. Kështu që studimi i Ioannidis nuk duhet t’ju bëjë të dyshoni në sigurinë e vaksinave, efektet që po kemi mbi klimën, etj. Nga ana tjetër, ai duhet t’ju bëjë të jeni skeptikë të një apo dy artikujve anti-vaksinë që hasni rastësisht, apo artikullit të vetëm që mbështet një “kurë magjike”, apo artikullit tjetër të rastësishëm mbi homeopatinë, akupunkturën, etj. Këto studime pothuajse gjithmonë përdorin një shembull të vogël dhe studime të panumërta të tjera kanë dështuar t’i riprodhojnë rezultatet e nxjerra nga ato një apo dy studime. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të shikoni të gjithë bashkësinë e literaturës shkencore dhe jo vetëm një studim të vetëm.

Konkluzioni

Në përfundim, studimet e kryera me kujdes dhe të kontrolluara mirë janë mënyra e vetme për të kuptuar me besueshmëri universin tonë, dhe nuk mund t’i hedhësh poshtë ato pa një arsyetim të mirë. Hidhi pak sytë përreth teje. Të gjitha mrekullitë moderne që shikon sot janë sjellë tek ti nga shkenca. Më tej, nëse unë do pyesja, “Sa nga vëllezërit dhe motrat tuaja kanë vdekur nga një sëmundje fëminore e tmerrshme?”, do supozoja se përgjigja do të ishte “asnjë”. Nëse do ta kisha bërë këtë pyetje disa dekada më parë, shumica prej jush do të kishte humbur të paktën një vëlla a motër për shkak të sëmundjeve që tani janë thuajse të panjohura. Edhe nëse doni ta lidhni gabimisht rënien e këtyre sëmundjeve me përmirësimin e higjenës dhe jo si rezultat i vaksinave dhe mjekësisë moderne, përsëri shkenca është përgjegjëse për higjenën tonë të përmirësuar dhe pastërtinë e ujit. Pra, sido që ta shikoni, shumë prej jush nuk do të ishin të gjallë sot nëse nuk do të ishte për shkencën. Shkenca funksionon qartësisht dhe juve ju duhet një arsyetim tepër i fortë për të hedhur poshtë rezultatet shkencore.

Që të jemi të sinqertë, është e vërtetë që disa shkencëtarë janë të korruptuar dhe se hulumtimi i tyre i keq ndonjëherë edhe publikohet, por zakonisht hulumtime të tilla të dobëta identifikohen dhe diskreditohen nga shkencëtarët e tjerë. Me fjalë të tjera, mund të ketë shanse të mëdha që një artikull të jetë i gabuar, por kur shumë studime të ndryshme kanë arritur në të njëjtën komkluzion, duhet të jeni tepër të sigurtë në atë konkluzion. Prandaj, dhe që ndoshta është më e rëndësishmja, nuk mund të supozoni thjeshtë se një studim është i gabuar vetëm pse nuk jeni dakord me rezultatet e tij. Duhet të paraqisni prova bindëse që ai është i mangët ose i anësuar para se të mund ta hidhni poshtë.

(Përshtatur nga disa artikuj në anglisht)

Scroll to Top