Mendësia e frikshme fetare
Përgjithësisht besimtarët kanë një karakteristikë të dallueshme që është një mangësi në formimin e tyre të përgjithshëm intelektual nga ku nuk arrijnë të kuptojnë fenomenet natyrore apo rastësinë e shumë incidenteve që ndodhin në jetë, dhe për këtë janë të bindur që ka një forcë madhore atje sipër që komandon gjithçka. Për disa kjo është thjeshtë një injorancë e theksuar si pasojë e mungesës së shkollimit, dhe për disa të tjerë është rezultati i trushpëlarjes që u është bërë që në vegjëli — ose një kombinim i këtyre të dyjave.
Por ka edhe shumë prej tyre, sidomos ata më të zellshmit, që kanë bërë diçka në jetë të cilën e shohin si një faj apo mëkat të rëndë dhe që tani i bën të ndjehen keq. Pak rëndësi ka nëse me të vërtetë ishte një faj i rëndë apo jo, rëndësi ka që ata e shohin si të tillë.
Dhe këtu fillon beteja me ndërgjegjen. Normalisht, secili e mendon veten si një njeri i mirë, dhe përgjithësisht ashtu është. Prandaj, duke e menduar veten e tyre si të mirë, ata i mundon pyetja, “pse e bëra diçka të tillë, ç’më shtyu ta bëj?”
Pastaj diku dëgjojnë njerëzit e fesë kur thonë se njerëzit i shtyn djalli në gabime, dhe për ata ky është një moment aha-je dhe lehtësimi, “aha, më paska shtyrë djalli në këtë gabim, pra nuk është faji im. Epo domosdo se ne kështu për të mirë e njohim veten.” (Dakord, këtu vodha pak atë shprehjen e të madhit Trebicka.)
Pra nuk mendojnë aspak se gabime të tilla janë pjesë e natyrës njerëzore dhe një shans reflektimi dhe rritjeje si individ, por gjejnë diçka tek e cila ta hedhin fajin dhe t’i shmangen përgjegjësisë vetjake. Dhe në vend që të përpiqen ta pastrojnë ndërgjegjen duke u vetëpërmirësuar dhe duke ndihmuar të tjerët me aq sa kanë mundësi, ata mjaftohen me, “u largova nga djalli dhe gjeta Jezusin apo Allahun, dhe ai më fali dhe tani nuk mbaj më përgjegjësi për atë që bëra.”
Sa e leverdissshme!
Por nuk mjaftohen me kaq. Jo! Është e natyrshme që kur ke bërë një gabim, do mendosh se nuk je i vetmi dhe se patjetër duhet të ketë edhe të tjerë që janë në të njëjtën situatë si ti. Ke interes ta shpërndash fajin sepse kështu ndjehesh më mirë ngaqë nuk ngelesh i vetmi keqbërës në shoqëri.
Nqs e keni vënë re askush nuk ndan me të tjerët aktet e mirësisë që ai bën duke e menduar se është i vetmi shenjtor në botë, por të gjithë ndajnë ligësitë e tyre me të tjerët duke mos e pranuar kurrë që ata janë të vetëm në ligësi. Heroizmi është gjithnjë në njëjës, ligësia gjithnjë në shumës.
Dhe këtu pastaj fillon paragjykimi i të tjerëve dhe propagandimi që të gjithë janë fajtorë apo mëkatarë dhe se i vetmi shpëtim është braktisja e djallit dhe afrimi tek zoti. Në këtë mënyrë ata i bëjnë edhe të tjerët si vetja e tyre dhe si kolektiv tani kanë një liçense për të mëkatuar si dhe djallin si mjetin më të leverdisshëm tek i cili të hedhin fajet e tyre.
Është një mënyrë perverse e të menduarit, një helmim që feja i bën mendjes njerëzore.