Nuk ka fjalë të Zotit, as nuk ka pasur ndonjëherë
Ka vetëm fjalë të njerëzve që pretendojnë se flasin për një zot. Këtu ka një ndryshim të madh. Nëse hyjmë në thellësi të këtij argumenti, do kuptojmë se koncepti i “fjalës së Zotit” është i krijuar nga njeriu dhe nuk ka asnjë bazë objektive apo empirike.
Ndryshimet rrënjësore dhe versionet e shumta të librave fetarë
Një shembull që mund të përdoret për ta mbështetur këtë argument është variabiliteti dhe ndryshimet në tekste fetare. Për shembull, nëse shikojmë Biblën apo Kuranin, kemi shumë variante dhe interpretime të ndryshme të tyre, të cilat janë rezultat i ndryshimeve kulturore, historike dhe ndoshta edhe të përkthimeve që u janë bërë. Luftërat nga të dyja kahet nuk kanë munguar asnjëherë me secilën palë duke vrarë e prerë palën tjetër me besimin e plotë se po bënin punën e Zotit. Me një fjalë, i njëjti pisllik siç ka ndodhur gjatë gjithë historisë së njerëzimit ku një grup njerëzish përpiqeshin të kontrollonin të tjerët me çfarëdo mjetesh dhe mënyrash të mundshme, me të vetmin ndryshim që mjetet dhe mënyrat e përdorura kanë ndryshuar nga njëra periudhë në tjetrën. Nqs kjo gjë nuk e tregon qartë se si Bibla edhe Kurani nuk janë një produkt i Zotit, por i njeriut, nuk di çfarë tjetër mund ta tregojë.
Mospajtimet dhe konfliktet e shumta brenda të njëjtës fe
Në këtë pikë mund të shtojmë edhe mospajtimet dhe konfliktet që shpesh ndodhin në mes besimtarëve të së njëjtës fe. Historikisht ka pasur shumë konflikte brenda sekteve të ndryshme islamike apo të krishtera. Këto konflikte shpesh kanë qenë si rezultat i interpretimeve të ndryshme të “fjalës së Zotit”. Edhe njëherë, pyetja që shtrohet është “si është e mundur që një Zot gjoja i gjithëditur të mos jetë i aftë të shprehet qartë në mënyrë që njerëzit e gabueshëm dhe të paditur të jenë në gjendje ta kuptojnë fjalën e tij pa qenë e nevojshme ta interpretojnë atë?” Sigurisht që përgjigja ka të bëjë me atë që ajo që quajmë fjalë e Zotit nuk është veçse opinioni i disa njerëzve primitivë të cilët kuptonin shumë pak nga bota dhe jeta. Si rezultat, pasardhësit e tyre kanë ngelur të mbërthyer në detyrën e pamundur të rekoncilimit apo pajtimit të atyre koncepteve me zhvillimet shoqërore dhe shkencore të tanishme, zhvillime këto që për ata që i shkruan librat “e shenjtë” do kishin qenë të paimagjinueshme dhe të pakonceptueshme.
Zoti flet vetëm me njerëz të caktuar
Përveç kësaj, nëse një zot do dëshironte të komunikonte me njerëzit, atëherë ai do e bënte atë në një mënyrë që të mos kishte asnjë dyshim për këtë. Si është e mundur që Zoti gjithnjë zgjedh disa njerëz të veçantë dhe ja u pëshpërit atyre në vesh fjalën e tij ndërkohë që ne të tjerët jemi të detyruar ta marrim fjalën e atyre njerëzve si të vërtetë? Si dhe të gjitha provat që paraqiten si vërtetim i fjalës së Zotit kanë të bëjnë me një teknologji të kohës kur këto zbulime ndodhnin. Për shembull, Moisiut iu dhanë dy pllaka guri nga Zoti me 10 urdhëresat, jo një herë por dy herë (Moisiu i thyu pllakat e para nga zemërimi kur gjeti njerëzit e tij duke idolizuar viçin e artë). Tani, sikur Moisiu në atë kohë të kishte nxjerrë një iPad ku të lexoheshin, apo, akoma më mirë, të dëgjoheshin me zë këto 10 urdhëresat (se nuk po pretendojmë të shikonim surratin e Zotit), sigurisht që kjo do ishte një provë e pakundërshtueshme e pranisë së Zotit. Por, dy pllaka guri… dy pllaka guri? Ato i bën kushdo.
Nga ana tjetër, Muhameti thoshte se shkonte tek shpella e malit Hira për të medituar kur filloi të fliste me Allahun. Seriozisht? Imagjinoni sikur dikush ta thotë një gjë të tillë sot se si do pritej ai ose ajo nga të tjerët. Në fakt, njerëz të tillë ka pasur dhe ka sa të duash, por ata përgjithësisht nxirren nga dhoma me të qeshura dhe referohen tek psikiatri. Si është e mundur që atë që nuk e pranojmë sot për askënd e pranojmë me aq lehtësi për disa njerëz që jetuan në kohët kur dija bashkëkohore ishte e tillë saqë njerëzit nuk dinin as se ku shkon dielli gjatë natës?
Për atë që është i gatshëm të pranojë forcën e arsyes, është e qartë që ideja e “fjalës së Zotit” nuk është tjetër veçse një mjet i krijuar nga njeriu për të kontrolluar dhe ndikuar mbi pjesën tjetër të shoqërisë. Dhe emocioni kryesor që vihet në përdorin në këtë pikë është frika ndaj të panjohurës dhe vdekjes, e cila ngjall një reagim të fortë tek njerëzit. Kjo frikë dhe arsyeja pse ne jemi të predispozuar të besojmë është sqaruar gjerësisht tek ky artikull. Është e rëndësishme që kjo frikë të kapërcehet në mënyrë që jeta të jetohet e plotë dhe pa strese të panevojshme, si dhe të mos lejojmë të biem pre e kontrollit dhe manipulimit si pasojë e kësaj frike.
“Ata që të bëjnë të besosh në absurditete, më vonë të bëjnë edhe të kryesh atrocitete.” – Voltaire