|

Është Mirë të Jesh Profeti i Allahut

Aisha, një nga gratë e Muhametit
Aisha: një nga gratë e Muhametit

Aisha, gruaja e Profetit të fesë islame, është regjistruar ta ketë qesëndisur të shoqin në lidhje me zbulimet e leverdisshme që ai gjoja merrte herë pas here nga Allahu.

E narratuar nga Aisha: “Më vjen pak sikur ky Zoti yt nxitohet në plotësimin e dëshirave tuaja.” Sahih al-Bukhari 65:4788

Këtë Aisha ja pat thënë profetit në përgjigje të zbulesës 33:51 të Kuranit në lidhje me gratë e Muhametit që thotë:

“Ti mund ta largosh kë të duash prej tyre e të afrosh kë të duash e nuk është gjynah për ty t’i kërkosh (ato) prej të cilave je larguar. Kjo është më e përshtatshme që ato të gëzohen, që të mos pikëllohen dhe që të jenë të kënaqura me atë që u ke dhënë. Allahu e di ç’ka ka në zemrat tuaja; Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Butë.
Al-Ahzab, Ayah 51″

Po çfarë donte të thoshte Aisha me këtë?

Sigurisht, si gruaja e profetit, Aisha e dinte shumë mirë që disa nga zbulesat e Allahut thjeshtë qëllonin të aprovonin pikërisht ato dëshira dhe kërkesa që kishte Muhameti në ato ditë. Në këtë mënyrë, Aisha po tallej me dinakëri me Muhametin dhe zbulimet nga Allahu që vazhdimisht qëllonin të ishin në interes të të shoqit, që po ta shohësh hollë-hollë, kjo ishte një blasfemi e hapur e Aishes duke aluduar se Muhameti i shpikte zbulimet ashtu siç i interesonin.

Ja të marrim zbulimin Surah An-Nisa 4:3 që thotë:

“Nëse keni frikë se nuk bëni drejtësi ndaj jetimeve, atëherë, martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri apo me katër; e, nëse frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj të gjithave njësoj, atëherë mjaftohuni me një grua ose me atë që e keni në pushtetin tuaj. Në këtë mënyrë do t’i ruheni padrejtësisë më lehtë.
An-Nisa’, Ayah 3″

Sipas këtij zbulimi, një mysliman mundet të ketë deri në katër gra, por me kusht që t’i trajtojë ato njësoj dhe me drejtësi. Mirëpo, Muhameti filloi të kishte favoritet e tij ndër gratë, që shpeshherë ishin ato më të rejat me të cilat preferonte të bënte seks. Kjo gjë sigurisht që shkaktoi pakënaqësi ndër gratë e tjera në lidhje me radhitjen e tyre. Si rrjedhojë, në përgjigje të kësaj, Muhameti “mori” zbulimin tjetër të levërdisshëm të radhës i cili e përjashtonte atë (dhe vetëm atë) nga rregulli i Allahut që gratë të trajtohen me barazi:

“Ti mund ta largosh kë të duash prej tyre e të afrosh kë të duash e nuk është gjynah për ty t’i kërkosh (ato) prej të cilave je larguar. Kjo është më e përshtatshme që ato të gëzohen, që të mos pikëllohen dhe që të jenë të kënaqura me atë që u ke dhënë. Allahu e di ç’ka në zemrat tuaja; Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Butë.
Al-Ahzab, Ayah 51″
33:51

Në të njëjtën mënyrë, Muhameti mori zbulime të tjera që:

  • e lejonin (vetëm atë) të kishte më shumë se katër gra. 33:50

“O Profet! Ne t’i kemi lejuar ty (për martesë), gratë që u ke dhënë dhuratat e martesës, skllavet, që t’i ka dhënë ty Allahu (si pre të luftës), vajzat e xhaxhallarëve, hallave, dajave dhe tezeve të cilat mërguan bashkë me ty, si edhe gruan besimtare, që u vetëdha për Ty, nëse Ti dëshiron të martohesh me atë. Kjo të është lejuar vetëm ty e jo besimtarëve të tjerë. Ne e dimë çfarë u kemi caktuar atyre për gratë e tyre dhe për ato që gjenden nën pushtetin e tyre, që për ty të mos ketë fajësim. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.
Al-Ahzab, Ayah 50″

  • e lejonin të martohej me gruan e atij që Muhameti e kishte birësuar, që në atë kohë konsiderohej incestuale në botën arabe. 33:37

“Ti (o Muhamed) i the atij,që Allahu dhe ti vetë i keni bërë mirësi: “Mbaje gruan tënde dhe frikësoju Allahut!” Në të vërtetë, ti po fsheh në vetvete atë që Allahu do ta nxjerrë në shesh dhe ti po u frikësohesh njerëzve, kur më e drejtë është t’i frikësohesh Allahut. E, pasi Zejdi bashkëjetoi me gruan e vet dhe u nda prej saj, Ne ta dhamë ty për bashkëshorte, në mënyrë që besimtarët të mos ngurrojnë që të martohen me gratë e të birësuarve të tyre, pasi ata ta kenë plotësuar dëshirën e tyre dhe të jenë ndarë. Urdhri i Allahut do të përmbushet detyrimisht.
Al-Ahzab, Ayah 37″

  • kritikonin gratë e Muhametit pse i nxirrnin atij telashe kur ai bënte seks me skllaven e tij egjiptiane Mariah. 66:1-5

“O Profet! Përse po ia ndalon vetes atë që ta ka lejuar Allahu, duke kërkuar t’u bësh qejfin grave të tua?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.
At-Tahrim, Ayah 1″

Kur i Dërguari i tregoi një sekret njërës prej grave të tij, ajo e hapi këtë fjalë. Allahu ia zbuloi këtë të Dërguarit, i cili një pjesë të këtij zbulimi ia tha (gruas që ia përhapi sekretin), kurse pjesën tjetër jo. Kur i Dërguari ia tregoi asaj të fshehtën, ajo e pyeti: “E kush të ka treguar ty?” Ai i tha: “Ma tregoi i Gjithëdijshmi, i Mirinformuari”.
At-Tahrim, Ayah 3

“Në qoftë se ai ju ndan, Zoti i tij mund t’ju zëvendësojë me gra më të mira se ju: myslimane, besimtare, të bindura, të kthyera tek Allahu me pendim, adhuruese (të Allahut), agjëruese, të martuara më parë ose të virgjëra.
At-Tahrim, Ayah 5″

Ajeti 66:3 më sipër është gallatë krejt. Sipas ajetit, Muhameti i tregon një sekret njërës prej grave të tij dhe (si për çudi) ajo ja tregon të tjerave. Dhe kur Muhameti e konfronton atë pse e nxori sekretin, ajo i kundërpërgjigjet se nga e mori vesh këtë Muhameti i cili i përgjigjet me: “Ma tregoi Allahu.” Tani, të gjithë e mbajmë mend mamanë kur ishim fëmijë dhe na thoshte për ndonjë sherr që bënim se ia kishte treguar zogu laraman. Për Muhametin tonë të dashur, zogu laraman ishte Allahu i Gjithëditur (jo gratë e tjera që paditën atë që kishte nxjerrë sekretin.)

Si përfundim, mund të themi se Aisha ishte ateistja e parë apo qafirja e parë në botën islamike, dhe, si e tillë, lidhja e saj e ngushtë me Muhametin ka një domethënie të madhe për vërtetësinë e zbulimeve të Allahut. Ajo e kishte parë vetë se shumë nga këto zbulime bëheshin që Muhameti të përfitonte në mënyrë direkte nga ato dhe kjo ndodhte pikërisht atëherë kur atij i duheshin dhe sa herë i duheshin këto zbulime.

Është mirë të jesh profeti i Allahut.

Të ngjashme