Teoritë Konspirative: Imune ndaj Çdo Fakti
“Kjo është natyra e teorive konspirative. Ato kanë imunitet përkundrejt provave. Çdo provë kundër konspiracisë është thjeshtë pjesë e saj. Çdo provë që mungon në favor të konspiracisë është mbulim. Çdo gjë është një shenjë, një mashtrim. Kjo do të thotë që mund të ndërtosh dhe mbash një konspiraci nga çdo gjë që ndodh. Teoritë konspirative janë të përputhshme me çdo lloj realiteti sepse ato sajojnë shpjegime të çastit në lidhje me çdo gjë brenda këndvështrimit konspiratist.” – Anonim
Teoritë konspirative janë ngjashme me nje virus në kuptimin që ato kanë aftësinë të adaptohen dhe t’i rezistojnë provave dhe fakteve që i sfidojnë ato. Në vend që teoritë konspirative të ndryshojnë ose të zhduken kur ato përballen me argumente faktive kundra tyre, ato thjeshtë “evolojnë” duke i përfshirë ato prova dhe argumente brenda tyre.
Teoritë konspirative të uljes në hënë
Marrim për shembull teorinë konspirative të “uljes në hënë”. Në vitin 1969, misioni Apollo 11 arriti që njeriu të vërë këmbë për herë të parë në hënë, por që disa njerëz thjeshtë nuk pranuan ta besojnë. Ata këmbëngulning se ishte një konspiracion i NASAs dhe qeverisë së SHBA për t’i bërë ata të dukeshin më të përparuar teknologjikisht sesa Bashkimi Sovjetik në kuadër të Luftës së Ftohtë.
Në vitet që pasuan, NASA dhe shumë ekspertë të pavarur siguruan prova të shumta që vërtetojnë se ulja në hënë ishte e vërtetë. Kjo përfshin fotografi, materiale shkëmbore nga hëna që u sollën në tokë, dëshmitë e astronauteve dhe punonjësve të NASA, si dhe transmetimet e drejtpërdrejta televizive të udhëtimit dhe uljes.
Megjithatë, konspiratistët thjeshtë i konsiderojnë këto prova si pjesë e vetë konspiracisë. Ata argumentojnë se fotografitë mund të jenë të manipuluara, ose se gurët e marrë nga hëna mund të jenë të falsifikuar. Edhe për dëshmitarët thonë se ata mund të jenë pjesë e konspiracisë ose të kenë qenë të manipuluar. Dhe për transmetimet televizive? Ata thonë se transmetimet mund të kenë qenë të inskenuara në një studio filmi.
Nëse ndonjë provë mungon, si për shembull një foto që nuk tregon qartas hijen e astronautit, konspiratistët e shikojnë këtë si një provë të mëtejshme që gjithçka ishte e rreme. Në këtë mënyrë, mungesa e provave përbën një mbulesë të qëllimshme, dhe çdo gjë mund të interpretohet si një shenjë apo mashtrim.
Teoritë konspirative të “vijave kimike”
Një shembull tjetër i mirë është teoria konspirative që ka lidhje me “vijat kimike” ose siç quhen në anglisht, “Chemtrails”. Kjo teori pretendon se avionët komercialë lëshojnë qëllimisht pas tyre “një vijë” kimikalesh që janë të dëmshme për njerëzit dhe mjedisin.
Shkencëtarët dhe ekspertët e aviacionit kanë argumentuar vazhdimisht se ato që njerëzit i quajnë “vija kimike” në të vërtetë quhen ” vija kondensimi” apo “contrails” që në anglisht do të thotë ‘condensation trails’, pra gjurmë apo vija kondensimi. Ato janë si rezultat i gazrave të nxehta të avionit që kondensohen kur përballen me ajrin e ftohtë në lartësi mbi 7 mijë metra. Gjurmët e kondensimit janë kryesisht të përbëra nga avull uji dhe sigurisht që janë krejtësisht të padëmshme.
Por konspiratistët argumentojnë se kjo është vetëm një mbulesë për të fshehur “vërtetësinë” e dëmit që shkaktojnë këto gjurmë apo vija. Ata pretendojnë se shkencëtarët dhe ekspertët janë pjesë e konspiracionit ose të manipuluar nga qeveria, dhe i shohin fotot e avionëve që lënë pas gjurmë si “prova” se qeveria është duke përdorur avionët për të shpërndarë kimikale në atmosferë.
Sikur kjo të mos mjaftonte, edhe në këtë rast, konspiratistët i shohin provat që mungojnë në favor të teorisë së tyre si “prova” të vetë konspiracisë. Për shembull, nëse nuk ka prova konkrete se qeveria po hedh në atmosferë kimikale nga avionët komercialë, konspiratistët deklarojnë se kjo tregon që qeveria po i fsheh provat ose thjeshtë është e detyruar t’i mohojë ato.
Si rezultat, teoria konspirative e “vijave kimike” është e përputhshme me çdo realitet dhe mund të japë shpjegime për çdo gjë që e mbështet këtë teori, sepse të gjitha këto janë të shpjeguara brenda perspektivës konspirative.
Kjo është natyra e teorive konspirative: ato janë të ndërtuara në mënyrë të tillë që çdo provë mund të interpretohet si pjesë e konspiracisë, dhe çdo mungesë e provave mund të interpretohet si një mbulim që i bëhet konspiracisë. Si rezultat, ato mund të jenë të përputhshme me çdo realitet dhe të japin shpjegime për çdo gjë, sepse shpjegimet janë të ndërtuara brenda perspektivës konspirative.