Magjia dhe Realiteti: Pse nuk Duhet t’i Drejtohemi Magjisë për Të Shpjeguar Botën

Magjia dhe realiteti
Magjia dhe realiteti

Ky është një manifestim i asaj që shkencëtari biologjist Richard Dawkins e quajti “injoranca e thellë”: ideja se çdo gjë që nuk mund të kuptohet menjëherë duhet të jetë rezultat i një ndërhyrjeje nga ndonjë force e madhe dhe e padukshme.

Njerëzit kanë një tendencë natyrale për të kërkuar shkaqe dhe përgjigje për çdo fenomen që hasin. Kjo është e lidhur me instinktin e mbijetesës – duam ta kuptojmë botën rreth nesh në mënyrë që të mund të reagojmë ndaj saj në mënyrë efektive. Kur një përgjigje nuk është e qartë, ndihemi të pasigurt dhe të trazuar. Prandaj e shpikim një përgjigje – si zoti – që të na ofrojë një ndjenjë sigurie dhe të na lejojë të kemi njëfar kontrolli mbi botën përreth.

Por po të presupozojmë magjinë si zgjidhje për injorancën tonë nuk do ishte vetëm e pandershme por edhe do frenonte rritjen tonë intelektuale dhe zbulimin e të vërtetës. Mbasi kemi pranuar një përgjigje të thjeshtë dhe të pakomplikuar për pyetjet e mëdha, ne ndalojmë së pyeturi dhe kjo na privon nga bukuria dhe mahnitja e të mësuarit të së vërtetës. Mbas së gjithash, pse të kërkojmë për përgjigje kur tashmë e kemi një dhe jemi të bindur se ajo është përgjigja e saktë, si dhe, më keq akoma, nuk guxojmë as të mendojmë se ajo mund të jetë përgjigja e gabuar?

Një botë pa magji brenda saj, siç duket se sugjerojnë disa, nuk do të ishte një vend i ftohtë dhe i mërzitshëm. Përkundrazi, një botë e tillë është mahnitëse dhe mbresëlënëse në vetvete, por për ta shijuar këtë bukuri dhe për ta përjetuar mahnitjen, ne duhet të jemi të gatshëm të pranojmë se nuk i dimë të gjitha dhe të kërkojmë për të kuptuar gjithnjë e më shumë.

Por, përsëri, çështja këtu nuk është se sa e mahnitshme është bota natyrore, por se sa e padobishme është të injorojmë realitetin në favor të magjisë. Gjërat që janë të mahnitshme, si galaksitë e largëta, fenomenet natyrore, funksionimi i trurit njerëzor, etj., janë të tilla jo sepse ato janë produkt i ndonjë magjie, por sepse ato janë pjesë e një universi të ndërlikuar që ka më shumë brenda tij se sa do të mund të kuptonim në një vështrim të parë.

Truri ynë ka evoluar në një mënyrë që të na ndihmojë të mbijetojmë dhe të përhapim genet tona, jo për të kuptuar konceptet abstrakte ose për të perceptuar botën në mënyrën më të saktë. Truri i njeriut ka prirjen të favorizojë eficiencës dhe shpejtësinë e vendimeve, jo saktësisë e tyre, kjo si një aftësi që na siguron mbijetesen. E kujt i hyn në punë saktësia kur brenda kohës që do na duhej për të bërë një përcaktim të saktë të situatës të përfundonim si dreka e një kafshe të egër? “Oh, paska qenë një tigër i cili po më konsumon të gjallë në këto momente.”

Gjithashtu, tendenca për të bërë lidhje aty ku nuk ka mund të shihet në shumë aspekte të perceptimit dhe të mendimit tonë. Për shembull, ne kemi tendencë për të parë modele dhe lidhje kauzale edhe aty ku nuk ka asnjë, një fenomen i njohur si “pareidolia” ose “supersticiozitet”. Në të njëjtën mënyrë, kemi vështirësi në kuptimin e koncepteve që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me përvojën tonë të përditshme, si teoria e relativitetit ose mekanika kuantike. Nuk duhet të jetë e vështirë të kuptohet se truri ynë nuk ka evoluar në mënyrë që t’i kuptojë këto koncepte në mënyrë instiktive, ndryshe pse do kërkohej gjithë ajo shkollë.

Pra, kur bëhet fjalë për të kuptuar botën dhe universin më gjerë, intuita jonë nuk është një udhëzues i mirë – në fakt më shpesh na ngatërron se na ndihmon. Në vend të saj ne duhet të bazohemi në metodat e provuara të hulumtimit shkencor dhe të analizës logjike për të formuar një kuptim të saktë të realitetit. Kjo përfshin të kuptuarit se intuitat tona janë shpeshherë të gabuara, dhe të jemi të gatshëm t’i sfidojmë dhe rivlerësojmë mendimet tona kur përballemi me fakte të reja.

Një gjë e tillë nuk duhet të na demoralizojë në atë pikë që të mendojmë se bota është më pak e mahnitshme apo më pak interesante. Përkundrazi, kjo e bën botën edhe më të mahnitshme dhe më të thellë sepse na jep mundësi të mësojmë dhe të rritemi, dhe të kuptojmë se si kjo botë e ndërlikuar dhe e mrekullueshme natyrore është e ndërlidhur në atë mënyrë që intuita jonë nuk mund ta kuptojë menjëherë.

Le të shikojmë tani disa shembuj të thjeshtë se si do ishim gabim në gjykim nqs do bazoheshim vetëm tek intuita apo lidhjet kauzale që duket se janë lehtësisht të vëzhgueshme.

Në rastin e atyre që marrin një pilulë sheqeri, ata mund të raportojnë një ndjesi përmirësimi ose edhe që janë shëruar nga çrregullime mendore pasi kanë marrë pilulën të cilën ata nuk e dinë se çfarë është në të vërtetë. Kjo jo sepse pilula ka ndonjë efekt mjekësor, por sepse ata besojnë se i ka ndihmuar me problemin e tyre. Në këtë rast, lidhja në mes pilulës dhe shërimit nuk është reale, por është produkt i besimit të pacientit.

Në shumë vende, niveli i korrupsionit duket sikur është në një lidhje të drejtë me klimën e nxehtë të atyre vendeve. Por këndi i rrezeve të diellit nuk është shkaku i korrupsionit sado që të duket ashtu në plan të parë.

Një tjetër shembull është gabimi i njohur ku marrim parasysh vetëm rastet e suksesshme dhe jo ato të dështimit. Për shembull, mund të mendosh se suksesi i të gjithë atyre që flasin publikisht vjen ngaqë ata pijnë një gotë ujë përpara fjalimit. Por kjo nuk do të thotë se uji shkakton suksesin e folësit, por thjesht është një rast ku dy ngjarje që ndodhin bashkë nuk kanë lidhje kauzale me njëra-tjetrën.

Gjithashtu, po ta mendosh pak më thellë, të gjithë njerëzit gjatë gjithë historisë njerëzore kanë shikuar të njëjtën Hënë që shohim sot, dhe të gjithë gjenden të vdekur. A do të thotë kjo se Hëna është shkaktarja e vdekjes së tyre, dhe se ndoshta edhe ne nuk duhet ta shikojmë atë se po na vret? Sigurisht që të mendosh në një mënyrë të tillë është absurde, por qëllimi është pikërisht që të tregohet dështimi i logjikës së njeriut për shumë çështje që duket se kanë lidhje me njëra-tjetrën kur në fakt nuk është ashtu.

Në mbyllje të këtij argumenti, ndërkohë që injoranca jonë mund të jetë një ndjenjë e parehatshme, është një e tillë me të cilën duhet të ballafaqohemi dhe ta tejkalojmë, dhe jo ta shmangim. Ky proces përfshin atë që duhet të mësohemi, ta pranojmë dhe të çuditemi me botën natyrore pa pasur nevojë të tërhiqemi drejt magjive apo hyjnive si rrugë të lehta.

Scroll to Top