A Vërtetohet Dot Joekzistenca e Zotit?

Kur debati bie në lidhje me ekzistencën apo joekzistencën e Zotit, shpeshherë i dëgjon fetarët të thonë, “Ti nuk e vërteton dot që Zoti nuk ekziston.” Tani, se për cilin Zot është fjala saktësisht, kjo është një çështje tjetër, por le të marrim parasysh që po flasim për atë Zotin me Z-në e madhe.

Në ligj, shkencë, apo në bisedat tona të përditshme, barra e vërtetimit bie mbi atë që hedh një dëshmi a një tjetër. Për shembull, në gjyq i takon prokurorit të vërtetojë fajësinë e të akuzuarit, nuk i takon të akuzuarit të vërtetojë pafajsinë e tij. Edhe në bisedat tona më të thjeshta, kur dikush bën një deklaratë, normalisht ai që e dëgjon mundet të zgjedhë ta besojë ose të kërkojë prova të mëtejshme. Nuk ndodh ndonjëherë që dëgjuesit t’i kërkohet ta vërtetojë në të kundërt deklaratën e bashkëfolësit të tij.

Filxhani i Bertrand Russell
Ibriku i Bertrand Russell

Filozofi dhe matematicieni Bertrand Russell ka një analogji shumë të lezetshme në lidhje me këtë paradoks. Ai sjell si shembull një ibrik çaji (sigurisht që anglezët e pëlqejnë fort çajin) dhe thotë se ka një të tillë që po vërtitet në orbitë rreth Diellit diku në mes Marsit dhe Tokës. Ibriku është aq i vogël sa asnjë nga teleskopët modernë nuk është në gjendje ta zbulojë. A e vërteton dot kush se ibriku nuk ekziston? Sigurisht që jo, por edhe një herë çështja është se i takon Russell-it të vërtetojë ekzistencën e ibrikut të tij, jo të tjerëve të vërtetojnë joekzistencën e tij.

Feja është e vetmja në këtë aspekt të cilës i jepet një justifikim me hatër, dhe kjo sepse ndjenjat e shumë njerëzve janë aq të lidhura ngushtë me besimet e tyre saqë askush nuk dëshiron t’i lëndojë apo ofendojë ata. Me pak fjalë, “mos i trazo bebet se qajnë.”

Zoti i Monoteizmit
Zoti i Monoteizmit

Tani, le të kthehemi tek vërtetimi i joekzistencës së Zotit. Në mënyrë që ne të vërtetojmë joekzistencën e çfarëdo gjëje, do na duhet më parë të dimë për ekzistencën e çdo gjëje tjetër, gjë që quhet Gjithëdituri. Por që të dimë ekzistencën e çdo gjëje tjetër do na duhet të jemi prezent kudo në të njëjtin moment, gjë që quhet Gjithëprezencë. Dhe e fundit, që të jemi prezent kudo në të njëjtin moment sigurisht që duhet të kemi fuqi të plota, që quhet Plotfuqi. A po ju bie ndonjë zile në kokë akoma a jo? A nuk është Zoti ai që të gjithë besimtarët e quajnë si të Gjithëditur, i Kudogjendur, dhe i Plotfuqishëm? Pra, i bie se që dikush të jetë i aftë të vërtetojë joekzistencën e Zotit ai duhet të ketë vetë ato cilësi që vetëm Zoti ka në pronësi. Pra shkurt, del se vetëm Zoti është në gjendje të vërtetojë joekzistencën e tij.

Si përfundim, kërkesa që fetarët u bëjnë atyre që nuk besojnë në lidhje me vërtetimin e joekzistencës së Zotit apo çfarëdo gjëje tjetër është nga më qesharaket. Një deklaratë negative nuk ç’vërtetohet dot, dhe kjo për faktin e thjeshtë se numri i objekteve që nuk ekzistojnë, përfshi këtu edhe mijëra Zotat që njerëzimi ka shpikur dhe që do mund të shpikte, është i pafund. I takon atij që e lëshon deklaratën ta vërtetojë atë, jo atij tjetrit që nuk e beson.

Scroll to Top