Absurditetet fetare dallohen qartë kur vihen përpara gjithësisë së pafund
Ky është universi i vëzhgueshëm (nga Andrew Z. Colvin – CC BY-SA 3.0, https://commons.wikimedia.org/w/index.php?curid=13251597), me një diametër përafërsisht 93 miliardë vite dritë. (Shikoni foton në fund të artikullit.)
Ky është një numër të cilin mendja e njeriut nuk arrin dot ta përceptojë, dhe është vetëm pjesa e dukshme, jo i gjithë universi që nuk ka limit. Shkalla e zvogëlimit është e tillë saqë ato grimcat që duken janë grupime galaksish të tëra.
Diku në atë rrëmujë gjendet galaksia Rruga e Qumështit e cila përbëhet të paktën nga 100 miliardë yje dhe po aq planetë e pakta.
Diku brenda Rruga e Qumështit gjendet Toka që nuk është më shumë se 13,000 km në diametër. Në këtë planet gjenden rreth 193 shtete që përfaqësohen nga e pakta 12 fe të ndryshme.
Besimtarët e çdo feje besojnë se feja e tyre është feja e vërtetë. Në fakt islamikët pretendojnë se përpara se të shkruante Kuranin, zoti nuk kishte shkruar asnjë libër tjetër me dorën e tij prandaj të gjithë ata libra janë të pavërtete dhe se fjala e fundit e zotit ishte shkrimi i Kuranit. Pak a shumë islamizmi vjen i fundit dhe futet me rrëmbim në mes të grumbullit të fëmijëve duke i shtyrë të gjithë me bërryla dhe deklaron ‘’topi është i imi, penalltinë do ta gjuaj vetë.’’
Njihet si fakt se të gjitha këto fe e filluan jetën në një zonë krejt të vogël të botës. Dhe ashtu siç është ajo fjala e urtë, ‘’sa i duhet të vërtetës të mbathë këpucët, gënjeshtra ka mbërritur në anën tjetër të globit’’, të gjitha këto fe u përhapën si zjarri në kashtë të thatë (dhe kashta ishte me të vërtetë e thatë).
Mendoni pak se si na degdisi ky zoti i madhërishëm në një pikë të universit aq të vogël saqë, nqs universi do të ishte sa deti Mesdhe, Toka nuk do ishte as sa një atom hidrogjeni. Nqs specia njerëzore do të zhdukej nesër, të gjitha besimet fetare do të vdisnin bashkë me të por i gjithë universi do ngelej përsëri ashtu siç ka qenë para se të formohej Toka pa ndjerë shqetësimin më të vogël.
Pra, besimet fetare kanë të bëjnë vetëm me specien njerëzore dhe nuk kanë kurrfar lidhje me universin. Po të shohësh kafshët, ato nuk e vrasin mendjen duke u shqetësuar për zotin. Për sa kohë njerëzit ishin akoma në gjendje të egër dhe nuk kishin mësuar akoma të komunikonin, zoti nuk egzistonte askund. Por në momentin që hoqëm pelenat na doli zoti përpara sysh. Dhe jo të gjithëve, vetëm disa njerëzve ‘’të veçantë’’ që ëndërronin me sy hapur.
Dhe sado që shkenca ka përparuar dhe jetojmë në një kohë mjaft interesante të zbulimeve shkencore, shumica e fetarëve kanë akoma vështirësi të pranojnë evolucionin. Disa nga ata shkojnë aq larg sa akoma nuk pranojnë se Toka është e rrumbullakët. Kjo është thjeshtë sa e pakuptueshme aq edhe e papranueshme.
‘’Në epokën e informacionit, injoranca është zgjedhje.’’
Kjo është arsyeja që themi se bindjet fetare janë e vetmja pengesë që e mbajnë njerëzimin me frerë dhe nuk e lejojnë të mbërrijë potencialin e tij të plotë. Feja Është Helm për Njerëzimin dhe rreziku më i madh që i kërcënohet species njerëzore sot për sot.