Besimet Irracionale: Një Veçori Evolutive

Mendoni pak për njerëzit e lashtë. Një njeri fillikat në atë kohë nuk do ngelej gjallë për më shumë se disa orë në xhunglat e Afrikës sepse do e përpinin egërsirat. Sigurisht që njerëzit e hershëm të atyre kohërave jetonin në grupe për t’u mbrojtur e mbështetur njeri-tjetrin në sigurimin e ushqimit. Dhe të qënit pjesë e grupit do të thoshte që të pranojë botëkuptimin e përgjithshëm të grupit dhe rregullat e vendosura tashmë.

Ata që dilnin kundër kësaj narrative dëboheshin nga grupi si antisocial, prandaj ishte në interesin e secilit individ që të pranonte versionin e realitetit të përcaktuar nga grupi edhe nqs ky version nuk kishte lidhje me realitetin objektiv. Kjo gjë pra na sjell tek besimet e sotme të cilat dukshëm kanë krijuar komunitete të cilët kanë bërë përpjekje të vazhdueshme historikisht për të mbrojtur linjën e tyre të besimit me qëllimin e ruajtjes së integritetit territorial ku këto komunitete gjendeshin.

Pra, është e qartë të shikohet se besimet irracionale janë në fakt një veçori e dalë nga evolucioni si një strategji për të siguruar mbijetesën e grupit.

Problemi është se sot ne nuk luftojmë më për mbijetesë sepse e kemi realizuar atë nëpërmjet normave sekulare dhe vlerave të përgjithshme që kanë të bëjnë me të drejtat njerëzore. Pra, nuk e kemi më të nevojshme të kapemi pas besimeve irracionale që të sigurojmë vazhdimësinë e komunitetit.

Në fakt, kjo veçori evolutive që dikur na ndihmoi të mbijetojmë, sot mundet ironikisht të kthehet në rënien tonë si specie dhe kjo po shikohet qartë sidomos me ardhjen në skenë të rrjeteve sociale ku komunitetet e besimeve të ndryshme iracionale u lidhën më mirë me njeri-tjetrin duke përhapur fallsitetet e tyre me një shpejtësi të frikshme në të gjitha cepet e botës. E njëjta prirje evolutive që dikur na ndihmoi si specje sot ka shumë mundësi që të na shkatërrojë.

E vetmja zgjidhje është që njerëzit të mësohen të pranojnë të vërtetat dhe realitetin objektiv ashtu siç e shpjegon metoda shkencore. Vetëm në këtë mënyrë mund të largohemi nga besimet e ndryshme që na përçajnë e të gjejmë emëruesin e përbashkët tek e vërteta objektive.

Ky duhet të jetë hapi ynë i ardhshëm në shkallën e evolucionit nqs duam të vazhdojmë në të ardhmen si specie. Përndryshe, edhe ne do i bashkohemi atyre 99% të specieve të tjera që kanë ekzistuar gjatë historisë së planetit por që sot nuk janë më. Zgjedhja është e juaja.

Të ngjashme