Feja vjen krejtësisht si rrjedhojë e supersticioziteteve njerëzore

Supersticiozitete feja
Supersticiozitete

Supersticioziteti është rezultat i frikës. Të gjitha kafshët në natyrë (përfshi njeriun) shikojnë përreth për gjëra të caktuara nga të cilat mund të rrezikohen. Psh., nqs bari shushurin, aty pranë mund të ketë një tigër që po bëhet gati të vërsulet.

Si rezultat i kësaj, kafshët mund të bëjnë njërin nga këto dy gabime:

1. Të mos dallojnë një rrezik të vërtetë,

2. Të shikojnë një rrezik aty ku nuk ka asgjë.

Cili nga këta të dy është më i rrezikshmi për kafshën? Sigurisht që i pari. Nqs aty ka një tigër dhe kafsha e injoron rrezikun, ajo e ka vdekjen shumë afër.

Në rastin e dytë kur mendon se aty ka një tigër por që në fakt nuk është ashtu dhe kafsha ja ther vrapit, përveç shpenzimit të disa energjive ajo nuk humb ndonjë gjë të madhe. Si pasojë e kësaj, çdo kafshë është e predispozuar të shikojë rreziqe aty ku nuk ka, dhe kjo çon në supersticiozitet.

Kjo gjë në fakt është edhe një provë bindëse e evolucionit. Është e lehtë të kuptohet se ata njerëz që bëjnë gabimin e parë e humbin shansin të kalojnë genet e tyre tek brezi i ardhshëm.

Kjo është arsyeja kryesore pse ne kemi evoluar të kemi frikë në mënyrë të jemi të kujdesshëm në vend që të tregohemi të guximshëm dhe ta paguajmë me jetë.

Çdo gjë fillon e të duket si një shenjë që diçka e keqe mund të të ndodhë. Populli thotë “të duket prifti si xhandar apo të bëhet ferra Ibrahim.”

Një mace e zezë ta pret rrugën, do rrotullohesh në vend që të të mos ndodhë diçka e keqe. Çfarë humb nqs rrotullohesh kot?

Asgjë.

Shikon një çalaman në rrugë dhe kap qimen e flokut që mos të të prihet ters. Çfarë humb nqs e kap flokun kot?

Përgjigja është përsëri e njëjtë—asgjë.

Po sikur të mos rrotullohesh dhe të të ndodhë diçka e keqe me të vërtetë? Edhe pse nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, ti nuk mund të rrish pa menduar pse që pse nuk u rrotullove.

Janë bërë shumë eksperimente në një fushë të tillë. Një nga ata ishte me pëllumba. Studjuesit e fusnin pëllumbin në një kuti të mbyllur (me dritë brenda, sigurisht) dhe e linin aty për orë të tëra. Pastaj, hapnin një dritare të vogël dhe i jepnin pak ushqim.

Shumë shpejt pëllumbi mësonte të qukiste me sqep dritaren për të kërkuar ushqim. Studjuesit e hapnin dritaren dhe i jepnin pak farëra. Pëllumbi qukiste përsëri.

Kësaj here studjuesit nuk e hapnin më dritaren. Pëllumbi vazhdonte të qukiste por ata hiç. Pasi pëllumbi pushonte për pak kohë, ata e hapnin dritaren dhe i jepnin edhe pak ushqim.

Pasi kjo u përsërit disa herë ku studjuesit i jepnin pëllumbit ushqim pa lidhje me qukitjet e tij, pëllumbi filloi të shfaqte shenja supersticioziteti. Ai fillonte e qukiste kudo nëpër kuti, dhe studjuesit herë e uahqenin e herë jo.

Gjithnjë e më shumë pëllumbi gjente vende të ndryshme ku të qukiste, thjeshtë duke u përpjekur të merrte me mend se cila nga ato qukitje i jepte ushqim, pa qenë aspak në dijeni se ushqimi nuk kishte aspak lidhje me qukitjet e tij.

E njëjta gjë ndodh me besimet. Jeta është e mbushur me të mira dhe fatkeqësi. Të dyja janë pjesë e pandashme të saj. Të mirat nuk na prishin shumë punë, por ama fatkeqsitë askush nuk i ka qejf.

Shumica e njerëzve fillojnë të besojnë vetëm sepse ata i mundon frika e gabimit të parë. Po sikur të mos besojnë dhe pastaj t’u ndodhë diçka e keqe?

Nuk bie shi me muaj të tërë, dhe ti mendon se duhesh të sakrifikosh një dhi. Dhe menjëherë pasi e bën fillon e bie shi. Sigurisht që do mendosh se dhia e sakrifikuar e solli shiun. Tani herën tjetër kur të ketë përsëri thatësirë guxo e mos e sakrifiko dhinë. Këtë gjë si dhe të tjera edhe me të tmerrshme bënin njerëzit e lashtë. Shpeshherë murosnin gra të gjalla për të mos u rrëzuar muret e kështjellës. Kurban Bajrami është një sakrificë e tillë supersticioze.

Tani, siç u tha më sipër, të këqiat janë të pandashme. (Në të vërtetë shumë gjëra të këqia qëllojnë që dalin për mirë, por kjo është një temë tjetër.)

Pra, që një e keqe do u ndodhë, kjo nuk ka diskutim. Kështu që po të mos besojnë, njerëzit e marrin sikur e keqja u ndodhi nga mungesa e besimit.

Po sikur të besojnë? Mundet të koinçidojë që të mos u ndodhë diçka e keqe; përkundrazi, atyre mund t’u ndodhë diçka e mirë. Sigurisht që do e lidhin këtë me besimin e tyre. Edhe sikur t’u ndodhë ndonjë e keqe, ata përsëri e bindin veten se ai atje sipër i di më mirë punët.

Pra njerëzit në përgjithësi konkludojnë se të mos besosh (gabimi i parë) është më e rrezikshme se të besosh (gabimi i dytë). Ky është edhe thelbi i supersticioneve (që janë baza e fesë), dhe ajo që i bën njerëzit fillimisht të besojnë në zot.

Më vonë, ata që janë më të ndjeshëm nga frika ndaj të panjohurës bëhen shumë të zellshëm në besimin e tyre saqë tani janë indoktrinuar përfundimisht dhe janë të gatshëm të pranojnë çdo gjë u thuhet, mjafton që ajo të lidhet me besimin në zot.

Në jetë do kesh si të mira ashtu edhe të këqia. Këto nuk të vijnë nga një hyjni i plotfuqishëm por thjeshtë nga veprimet apo mosveprimet e tua si dhe një grumbull procesesh dhe ngjarjesh të rastësishme. Të parat i ke vetë në dorë, të dytat jo.

Lajmi i mirë është se nuk mund të kesh vetëm të këqia. Do kesh patjetër edhe të mira. Njësoj sikur të hedhësh përpjetë 50 herë një monedhë. Nuk është se 30 herë rrjesht do bjerë vetëm njëra anë.

Ka raste ku mund të të qëllojë disa herë rrjesht kokë e një apo dy herë pil, por në fund të 50 hedhjeve do vërejsh se numri i rasteve ku të qëllon kokë do jetë shumë i afërt me ato raste ku të qëllon pil.

Duke marrë vendimet e duhura në jetë në përputhje me botën reale, shanset do jenë më shumë në favorin tënd ku do marrësh më shumë të mira se të këqia. Gjithsesi asgjë nuk është e garantuar. Nganjëherë jeta të dërgon më shumë të këqia se të mira dhe, përveç se t’i pranosh, nuk ke ç’bën tjetër.

Fati apo rastësia janë pjesë e botës reale. Qëllon që të bie shtatë herë rrjesht kokë e asnjëherë pil. Por pas asaj gjërat nuk kanë nga të shkojnë përveçse për mirë. E rëndësishme është të bëjsh durim, të ecësh përpara me vendime racionale duke pritur shanse më të mira që tashmë nuk mund të jenë larg.

Kjo është një shenjë maturiteti duke refuzuar të ndikohesh nga frikat apo shpresat supersticioze.

Natyra të ka falur dhuntinë të arsyetosh me llogjikë. Mos u bëj pëllumb.

Të ngjashme