Pse të kemi frikë nga vdekja?

“Pse duhet ta kem frikë vdekjen? Nqs unë jam, vdekja nuk është. Nqs vdekja është, unë nuk jam. Pse të kem frikë diçka që nuk mund të ekzistojë kur unë nuk ekzistoj?” – Epicurus

Frikë nga vdekja
Frikë nga Vdekja

Ky citat nga Epikuri është një ndër filozofitë më të njohura për t’u përballuar me frikën ndaj vdekjes. Epikuri njihej si një materialist – ai e mohonte ekzistencën e çdo gjëje jashtë natyrës fizike. Kjo shprehje e tij reflekton qëndrimin e tij filozofik që vdekja është përfundimi i ndërgjegjes dhe kështu, pa ndërgjegje, frika nuk ka vend ku të ekzistojë.

Vërtetë, nëse e analizojmë këtë shprehje më thellë, mund të gjejmë disa pikëpamje interesante. Ja ta analizojmë idenë e vdekjes dhe si e ndikon ajo ndërgjegjen tonë në lidhje me ekzistencën.

Ekzistenca para se të lindeshim si dhe ajo që do jetë pas vdekjes është një çështje mjaft e diskutueshme dhe varet në mënyrë direkte nga besimet e njeriut. Nga pikëpamja e Epikurit, por edhe të shkencës moderne, të gjitha proceset mendore dhe emocionale përfundojnë me vdekjen, prandaj çdo ndjenjë – përfshirë frikën – nuk ka se si të ekzistojë pas vdekjes. Në këtë mënyrë, frika nga vdekja është e pavend, sepse jo vetëm që është e paevitueshme por edhe sepse ne asnjëherë nuk do arrijmë ta përjetojmë vdekjen vetë, pasi ndërgjegja jonë do të ketë marrë fund.

Në të njëjtën mënyrë, ekzistimi para se të ishim lindur nuk është diçka që mund ta ndjejmë ose ta kuptojmë, sepse ndërgjegja jonë nuk ekzistonte para se ne të lindeshim. Në këtë mënyrë, nuk ka asgjë për të cilën duhet të frikësohemi – as nga gjendja jonë para se të lindeshim, dhe as nga mosekzistenca pas vdekjes.

Gjithashtu, nqs do e mendojmë hollë-hollë, le të marrim parasysh faktin që ne nuk mund të ekzistojmë në dy vende njëherësh. Ky koncept është mjaft i lehtë për t’u kuptuar, por ajo që shpesh nuk e mendojmë aq sa nevojitet është se përveçse vendit në të cilin ndodhemi për momentin ne jemi absent nga çdo vend tjetër në botë. Jo vetëm kaq, por njerëzit në ato vendet e tjera, përveçse atyre pak që mund të na njohin, as nuk e kanë idenë e ekzistencës tonë dhe vazhdojnë jetën e tyre pa asnjëfarë merakosjeje për ne.

Pra, vështirësia jonë në lidhje me përceptimin e vdekjes dhe frikën ndaj saj thjeshtë del se ka të bëjë me paaftësinë tonë për të imagjinuar një botë në të cilën nuk ekzistojmë. Këtu mund të argumentohet se frika nga vdekja nuk është veçse një refleks i mbijetesës dhe pjesë e natyrës njerëzore, por nga pikëpamja filozofike, ajo nuk ka kuptim. Fakti që ne vdesim është i pashmangshëm, dhe si i tillë, nuk ka asnjë arsye për ta pasur frikë vdekjen.

Në këtë mënyrë, pikëpamja e Epikurit mund të na ndihmojë të kuptojmë se frika nga vdekja është një pasojë e mungesës së kuptimit të natyrës së vdekjes. Nëse e pranojmë atë si pjesë të natyrës së jetës dhe të ekzistencës, atëherë mund ta braktisim frikën dhe të fokusohemi e të shijojmë jetën e plotë dhe të pasur me përvoja që kemi përpara vdekjes.

Scroll to Top