Hartat e Vjetra dhe Zbulimi i Amerikës: Roli i Injorancës dhe Mendësisë Shkencore

“Hartat e vjetra nuk kishin hapësira boshe në to, ose në ato pjesë që nuk njiheshin vizatoheshin përbindsha imagjinarë. Vetëm aty nga shekulli XV – XVI filluan të shfaqen në Evropë harta me hapësira boshe që tregon për fillimin e një mendësie shkencore në kontinent. Ky ishte një përparim psikologjik dhe ideologjik që në esencë pranonte injorancën e evropianëve në lidhje me pjesë të mëdha të botës.

hartat e vjetra
Hartat e vjetra të botës

Në vitin 1492, Kristofer Kolombi niset për në perëndim nga Spanja me qëllimin për të gjetur një rrugë tjetër që të shpinte në Azinë Lindore. Duke besuar thellësisht në hartat e vjetra, Kolombi llogariti se do i duhej të përshkonte diçka 7,000 km që të mbërrinte atje për ku ishte nisur. Toka e parë që hasi ishin Bahamat e sotme dhe ai krijoi përshtypjen se kishte mbërritur në një ishull të vogël aziatik duke i quajtur kështu banorët ‘indianë’ kurse vendin Indi Lindore (Indonezia e sotme).

Natyrisht që kjo ishte një gjetje e gabuar në lidhje me të cilën Kolombi ngeli pa e mësuar kurrë të vërtetën sepse ai thjeshtë nuk e merrte dot me mend që mund të kishte zbuluar një kontinent krejtësisht të ri. Mbas së gjithash, skripturat biblike njihnin vetëm Evropën, Afrikën dhe Azinë. E si mund të ishte gabim fjala e Zotit?

Duke refuzuar të pranonte injorancën e tij, Kolombi ishte i bindur se e njihte të gjithë botën dhe si pasojë e kësaj bindjeje nuk arriti të mësonte për zbulimin e tij monumental.

Jo shumë vonë pas Kolombit, Ameriko Vespuçi ndërmori disa ekspedita për në drejtim të Amerikës. Dy tekste u publikuan në Evropë gjatë të njëjtës periudhë të cilët iu atributuan Vespuçit. Në këto teskte argumentohej se tokat e zbuluara nuk ishin pjesë e Azisë Lindore por një kontinent krejtësisht i panjohur më parë nga njerëzimi apo skripturat e shenjta.

Për herë të parë në vitin 1507, një nga hartëbërësit e mirënjohur në Evropën e asaj kohe, Martin Waldseemuller, publikoi një hartë të përditësuar të botës e cila përfshinte kontinentin e ri. Meqë atij i duhej t’i vinte një emër, ai e quajti atë Amerikë për nder të zbuluesit të saj.

Kjo ishte ironike sepse Waldseemuller nuk e dinte se ishte Kolombi ai që në fakt e kishte zbuluar Amerikën për herë të parë dhe në vend të tij ia dedikoi këtë zbulim Ameriko Vespuçit i cili ishte i vetmi njeri në atë kohë që pati kurajon të thoshte:

‘NUK E DIMË’.”

Shkëputur nga Sapienët: Një Histori e Shkurtër e Njerëzimit (Anglisht) nga Yuval Noah Harari

Scroll to Top