Trupi “perfekt” i njeriut i dizanjuar nga Zoti
A i keni dëgjuar përsëritjet e vazhdueshme të fetarëve kur thonë se trupi i njeriut është dizanjuar në mënyrë kaq perfekte saqë nuk ka sesi të mos jetë krijimi i Zotit?
Epo, më vjen keq t’ja u shpoj flluckën e sapunit, por nuk ka asgjë perfekte në lidhje me trupin e njeriut. Të metat janë të panumërta disa nga të cilat do i listojmë më poshtë:
Bajamet
Të përmendura kryesisht si një organ jo funksional, bajamet janë një përmbledhje e limfociteve që luftojnë infeksionet, por ato gjithashtu janë të prirura për infeksione dhe inflamacion, sidomos në fëmijëri. Kur bajamet infektohen dhe inflamohen në mënyrë të vazhdueshme, bëhet e nevojshme heqja e tyre përmes një ndërhyrjeje kirurgjikale, gjë që do të thotë se ato më shumë shkaktojnë probleme sesa ndihmojnë.
Apendisiti
Apendiksi është një strukturë e vogël që ndodhet në pjesën e djathtë të poshtme të barkut dhe që nuk ka një funksion të njohur. Por kur apendiciti bllokohet dhe inflamohet, mund të shkaktojë sëmundjen me të njëjtin emër, që shpeshherë është me rrezik për jetën e individit dhe që kërkon ndërhyrje kirurgjikale urgjente. Sigurisht që këto lloj ndërhyrjesh janë të mundshme vetëm sot në sajë të përparimit të shkencës, por në të kaluarën nqs dikujt i plaste tëmthi kjo nuk ishte tjetër veçse një dënim me vdekje.
Tëmthi
Tëmthi është një organ i vogël, i ngjashëm me një qese, që ruan dhe përqendron bilen, një lëng i prodhuar nga mëlçia që ndihmon në tretjen e yndyrnave. Problemet e tëmthit zakonisht lidhen me formimin e gurëve brenda tij, të cilët mund të shkaktojnë dhimbje të forta në pjesën e djathtë të barkut dhe mund të çojnë në inflamacion të tëmthit. Në raste të rënda, mund të jetë e nevojshme heqja e tëmthit përmes operacionit që tregon se ky organ më shumë krijon probleme se ndihmon, dhe se njerëzit mund të jetojnë mjaft mirë pa atë. Në fakt, një supozim në lidhje me dobishmërinë e tëmthit është se ai organ duhej më tepër në kohët kur njerëzit ushqeheshin me ushqime të papërpunuara apo pagatuara por që sot për pjesën më të madhe e ka humbur funksionin fillestar.
Arteriet kryesore që janë të ekspozuara në shumë vende delikate
Trupi i njeriut ka disa arterie që janë vendosur në vende ku ato janë të ekspozuara ndaj dëmtimeve, si arteria karotide e cila udhëton përmes qafës dhe mund të dëmtohet lehtë në rastin e një traume.
Kanceret
Trupi i njeriut është i prirur për mutacione të ADN-së që mund të çojnë në rritje të pakontrolluar të qelizave, një çrregullim ky që në mjekësi njihet me emrin kancer. Me gjithë progresin në mjekësi, kanceri mbetet një nga shkaqet më të larta të vdekshmëritë në botë.
Paaftësia për të shikuar natën
Në kundërshtim me disa kafshë të tjera, njerëzit kanë vështirësi në shikim natën. Kjo është sepse qelizat tona vizuale, bastonet dhe konuset, nuk janë aq të mira sa të shohin në dritë të ulët. Sigurisht që pothuajse të gjithë ne do donim të ishim në gjendje të shikonim më mirë natën, sidomos kur deri vonë gjendeshim në një pyll të errët duke mbajtur vetëm një kopaçe si armë mbrojtëse kundër bishave me dhëmbë e me kthetra.
Nyja e Akilit që është aq e rëndësishme por në një vend aq delikat
Nyja e Akilit, që lidh muskujt e këmbës me kockën e gjymtyrës së poshtme, është e ekspozuar ndaj dëmtimeve. Dëmtimi i saj mund të çojë në humbje të funksionit të këmbës dhe kërkon një kohë të gjatë për të shëruar.
Mehanizmi i dhimbjes
Dhimbja ka një funksion të rëndësishëm si sinjalim rreziku, por shumë shpesh është e tepërt dhe e padobishme. Për shembull shpeshherë qëllon që plaga fillestare që e shkaktoi dhimbjen të jetë shëruar plotësisht, por që dhimbja vazhdon edhe pas kësaj duke kaluar në atë që quhet kronike.
Përdorimi i energjisë
Trupi ynë përdor një sasi të madhe të energjisë për të qenë i ngrohtë, sidomos në vendet me klimë të ftohtë. Në të njëjtën mënyrë, ne kemi probleme edhe me të nxehtit e madh ku e kemi të vështirë mbijetesën në vende të nxehta si shkretëtirat. Nqs një zot na paska dizanjuar në mënyrë përfekte, pse na bëri ai të atillë që ta kemi të vështirë ose të pamundur të jetojmë në shumë vende të planetit pa pasur nevojën e teknologjisë?
Veshët dhe sinuset
Zona e pasme e veshit është shumë e prirur për infeksione sepse ndodhet në një pozicion që nuk lejon lëngjet të rrjedhin lirisht, gjë që krijon një mjedis ideal për bakteret. Në të njëjtën mënyrë, sinuset e njeriut janë të orientuara në mënyrë të atillë që hapësirat e tyre boshe të kenë një rrjedhë që shkon kundër gravitetit. Kjo do të thotë se lëngjet e prodhuara atje – si sekrecionet apo mukusi, që përdoren për të ndihmuar në largimin e mikrobeve dhe pluhurit – kanë vështirësi të rrjedhin natyrshëm jashtë.
Konkretisht, sinuset e ballit dhe të zonës së hundës poshtë syve i kanë daljet të vendosura në pjesën e tyre më të sipërme. Kjo do të thotë se, që lëngjet të kenë mundësi të largohen, ato duhet të ngjiten përpjetë kundër gravitetit. Kjo strukturë nuk është ideale dhe shpeshherë çon në bllokim të sinuseve, gjë që krijon kushte të mira për sëmundjet e sinuseve si sinusiti.
Një dizanjim i tillë mund të shpjegohet vetëm në kontekstin e evolucionit i cili është një sistem që ka si parim funksionin, por jo perfeksionimin. Këtë të fundit do e prisnim sikur dizanjuesi të ishte ai që njerëzit e quajnë zot i gjithëditur.
Sistemi imunitar
Sistemi ynë imunitar ka tendencë të reagojë tepër kundër alergjive, duke shkaktuar simptoma që shpesh janë më të keqija se rreziku që alergjeni përfaqëson. Njhini ndonjë nga sëmundjet autoimunitare? Sa për kujtesë, vitiligo, artriti, lupusi, skleroza, diabeti i tipit 1, psoriazi, e plot të tjera si këto që të gjitha së bashku kapin numrin 80. Cili zot i gjithëditur do dizanjonte kaq probleme në lidhje me një sistem kaq të rëndësishëm të trupit të njeriut që papritmas vendos e sulmon vetveten e tij?
Vështirësitë gjatë lindjes
Nëse trupi i njeriut është dizajnuar nga një zot, pse procesi i lindjes është aq i vështirë dhe i rrezikshëm për njerëzit? Në krahasim me shumë kafshë të tjera, njerëzit përballen me një rrezik shumë më të madh gjatë lindjes. Kjo përsëri ka të bëjë me evolucionin e trurit i cili pësoi një rritje të shpejtë që na mundësoi një përshtatje të mirë me mjedisin duke garantuar kështu mbijetesën tonë si specje. Problemi është se me këtë rritje të trurit, dhe të kafkës si rezultat, erdhën vështirësitë e lindjes. Fëmijët lindin me kokë disproporcionalisht më të madhe se trupi, dhe kjo e bën të vështirë kalimin e tyre gjatë lindjes. Shto këtu edhe faktin që pelvisit iu desh të ngushtohej edhe më shumë në mënyrë që të përshtatej për të lejuar bipedalizmin si një formë të ecjes dhe vështirësia e lindjes u dyfishua.
Sistemi nervor
Trupi ynë është plot me nerva që nuk duhet të ishin aty ku janë, ose që udhëtojnë nëpër trup në mënyrë të pakuptimtë. Për shembull, nervi laringeal i brendshëm kalon poshtë trakeas dhe bën një hark të plotë rreth aortës para se të ngjitet tek gjëndra tiroide, një distancë që është shumë më e gjatë se kishte nevojë të ishte. Kjo është përsëri si rezultat i evolucionit, jo një dizanjimi perfekt, dhe një dëshmi e prejardhjes tonë shumë të hershme nga kafshë me të cilat sot nuk ngjasojmë aspak.
Si këto, ka aq shumë të meta të tjera saqë do ishte e drejtë të themi se sikur trupi i njeriut të kishte një dizanjues, ai nuk do ishte tjetër përveçse keqdashës dhe cinik.
Trupi i njeriut nuk është aspak i dizanjuar por ka evoluar vazhdimisht sipas ligjeve të përzgjedhjes natyrore dhe përshtatjes me mjedisin. Në këtë aspekt, ata që e mohojnë evolucionin e specieve duhet të ndjehen shumë me fat që janë e njëjta specie me njerëzit e shkencës, ndryshe do ishin zhdukur me kohë si shumë specie të tjera që refuzuan të përshtaten.
Kështu pra, në vend që të pyesni veten “si ka mundësi që trupi i njeriut është dizanjuar në mënyrë kaq perfekte pa ndërhyrjen e një zoti?”, ndoshta duhet të pyesni “si ka mundësi një zot kaq i plotfuqishëm e i gjithëditur e dizanjon trupin e njeriut me kaq shumë të meta e defekte?”
Si gjithnjë, për ato që nuk kemi shpjegim, përgjigja e natyrshme është “e bëri zoti.”